A është i gjallë shqiptari që hesht?

“Të qash të gjallin e të kesh zili të vdekurin…!” Të qash të gjallin se ka vdekur pa e ditur e të kesh zili

të vdekurin se iu vra trupi, por jo mendja, jo ndërgjegjia, jo arsyeja.

Sikur të vdisnim të gjithë ashtu, natyralisht, fizikisht, me trurin e kthjellët dhe arsyen e qartë, me ideale të rralla dhe mendime të paprekura. Por, kjo s’ndodh për këdo. Kjo ndodh për ata që dritën e diellit e shohin të errët kur ndjejnë se liria mungon, për ata që i thonë vetes se jeta s’ka çmim, e për më tepër se jeta pa liri është ferri i frymorëve … ndodh për ata që s’pyesin për kostum, për kollare, për llustra që kamuflojnë mungesën e burrërisë dhe impotencën e trurit …! kjo ndodh për ata që jetën e kanë të shenjtë përsa kohë vjen prej të Shenjtit, e për ata që nuk harrojnë se shteti, pushteti, rregulli dhe ligji lindën prej njeriut, për të mbrojtur njeriun pasi vrasin njeriun.

Të tjerët, ata që ia kanë shitur qenien injorancës, ata që i tremben vdekjes së natyrës dhe i dorëzohen vdekjes për së gjalli, ata që emrin, mendjen, arsyen, ndjenjat dhe nderin ia kanë dorëzuar pa kushte shtetit, ata që konformizmin e kanë skutën e fshehjes së paaftësisë, paditurisë, dhe dështimit … ata kanë vdekur me kohë, kanë vdekur edhe kur ecin, edhe kur heshtin, edhe kur kritikojnë si kavje të dështuara ‘rebelët’ që ndoshta pa vetëdije përpiqen t’i zgjojnë nga hipnoza e adhurimit për diktatorin. Ata kanë vdekur që kur mbyllën çelësin e derës dhe fyenin nga ekrani ata pak ‘rebelë’ të mbetur në Shqipërinë që prej vitesh dergjet në një vdekje klinike. Ata që mediatikisht sot në gjuhën e pushtetit e të konformistëve të përdhosur prej pushtetit, quhen ‘rebelë’, janë në fakt të vetmit të gjallë që kanë kuptuar se uniforma, institucioni dhe në fund shteti, janë vetëm mite të ngritur prej njeriut e që fare lehtë mund të shkërrmoqen nga njeriu kur i marrin jetën, më të shtrenjtën dhuratë pikërisht njeriut.

“Kulmi i terrorit arrihet kur shteti i policisë fillon të gllabërojë fëmijet e tij” … kjo frazë filozofikisht politike e Hannah Arendt një shekull më parë, është kuptuar nga ata ‘rebelë’ më shumë se sa nga ju, shqiptarë të shkolluar e të ndritur, nga ju mjekë, profesorë, gazetarë, artistë, biznesmenë e politikanë, nga kushdo prej jush që pretendon se horizonti i dijes i tejkalon mendimet e atyre të rinjve.

Ndoshta as ata e as ju se njohin filozofinë politike apo psikologjinë e funksionimit të shtetit ndër shekuj, e me siguri ata kanë lexuar më pak se ju, njohin më pak se ju, por në mënyrën më absolute të logjikës, janë më të lirë se ju. Përse? Për të vetmin motiv se adrenalina që buron kur nuk ke asgjë për të humbur dhe lufton vetëm për të fituar, është ndoshta ekstaza më e lartë e kënaqësisë që mund të arrijë një njeri në botën e përkohshme të frymorëve.

Asgjë s’të ndal nëse nuk rrezikon të humbësh punën që kurrë se ke patur, as kostumin që kurrë se ke veshur, as mikun e interesit dhe te favoreve që kurrë s’ia ke njohur fytyrën. Nuk rrezikon as të dalësh zbuluar si dështak që deri dje kamufloheshe herë me xhepin e trashëguar, e herë me ndyrësinë e shitjes së emrit. Të jesh i lirë është ndoshta privilegji më i lakmuar në një vend ku diktatura moderne vegjeton sa në heshtje, aq edhe në britma që herë pas here dëgjohen më shumë se c’lejohet në fasadën e një sistemi demokratik.

“Në kuptimin më të vërtetë liria nuk mund të dhurohet, duhet të arrihet”, thoshte Rooosvelt në Amerikën e atyre viteve, si për të lënë të kuptohet se kur beteja për liri legjitimohet në vende ku demokracia celebrohet si më i larti sistem politik, atëherë në vende si ky i yni, që lëngon edhe sot nga plagët e hapura të një sistemi që përdhunonte të drejtën dhe lirinë e jetës, beteja për liri kthehet në akt të shenjtë ku ndoshta bekime merr kushdo që flet, bërtet, konfrontohet, rebelohet e sakrifikohet për jetën, jo për të tijën, për jetën.

Për jetën që është kthyer në shënjestër të shfryrjes së skizofrenisë së pushtetit, për jetën që shuhet netëve të errëta po njësoj si dikur, me pabesinë e uniformës, në emër të atij që historikisht në ekzistencën e këtij kombi ka reflektuar pabesinë dhe dështimin, në emër të shtetit.

Ndryshe nga ti, i rritur, i logjikshëm, ndryshe nga ti shqiptar i arsimuar e i iluminuar, nga ti shqiptar i integruar profesionalisht e intelektualisht, ndryshe nga ti shqiptar i përfillur nga kryetari i komunës, i bashkisë e deri i qeverisë së vendit ku jeton, ata që ti quan ‘rebelë’ e që i le vetëm prej disa ditësh në atë që ti e quan përçartje e moshës dhe e mungesës së qytetarisë, nuk mbajnë mbi supe mëkatin që mban ti.

Pjesa më e madhe e tyre, për fatin e moshës, nuk kanë kontribuar në konsolidimin e atij që quhet shteti i terrorit e që përdor uniformën si armë mbrojtjeje të sistemit të krimit. Andaj ata janë të lirë nga zinxhirët e përdhosjes, janë të lirë se s’kanë asgjë veç adrenalinës për të gjetur të vërtetën në një vend ku e vërteta varroset bashkë me kufomën. Fitues ose humbës, ata do jenë sërish të lirë, ndërsa ti ke vdekur bashkë me dinjitetin, qytetarinë dhe intelektualizmin në një vend ku pushteti hyn deri në damarët e ndërgjegjes e të përdhos gjithçka ke të shenjtë. Ndoshta shumë më pak se në çdo formë tjetër të manifestimit protestues në Shqipëri, por për të parën herë të pastër deri në kristal e për një kauzë që s’njeh definicion tjetër veç ‘të drejtës së jetës dhe lirisë për të jetuar në një vend ku frika nuk legjitimon vrasjen’.

Ti hesht se atë që humbi jetën dje se ke njohur kurrë, as atë që humbi punë dje se ke njohur kurrë, ti se ke takuar kurrë as atë që dergjet dyerve të spitalit se papunësia e ka lënë të dorëzuar përballë fatit, ti hesht dhe tërhiqesh se nuk e ke njohur as atë që humb të drejtën për të parë vrasësin e djalit, vajzës, prindit, vëllait prapa hekurave e që i dorëzohet dhimbjes së shpirtit në një vend ku drejtësi s’ka as për të gjallë e as për të vdekur. Ti hesht se s’e njeh as atë që mbrëmë fjeti rrugëve se fatkeqësia natyrore e zuri në një vend ku makutëria ekzekuton ligjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *