Dezinformatat për vaksinën e koronavirusit: Tri pyetjet që duhet t’ia bëni vetes

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, dezinformatat janë shpërndarë tok me të, madje, në disa raste edhe më shpejt se vetë virusi ( që nga këshillat kinse mjekësore e deri te teoritë e ndryshme konspirative). Dezinformatat për vaksinën kundër Covidit-19 tashti kanë hyrë në një fazë tjetër. Pasi u zbulua dhe pasi shtetet e ndryshme nisën ta përdorin, nëpër media – sociale kryesisht – qarkullojnë dezinformatat kundër saj. Ndaj, më shumë se kurrë është domosdoshmëri të tregohemi të vëmendshëm e të kujdesshëm për burimet që i përdorim për informim – sidomos ndaj informatave që i marrim nga mediat sociale. Ndaj çdo përmbajtjeje duhet të kemi qëndrim kritik e t’i mënjanojmë dyshimet vetëm pasi të jetë shterur mundësitë e verifikimit.

Më 8 dhjetor, në Britaninë e Madhe, një e moshuar u bë personi i parë në botë që mori vaksinën kundër Covidit-19. Gjigantët teknologjikë dhe të informacionit janë bërë bashkë në luftimin e dezinformatave për këtë vaksinë. Në këtë iniciativë, përveç mediave të mëdha të dëshmuara, si BBC, Washington Post, Financial Times, Reuters, AP e AFP, janë të përfshira edhe mediat e reja – Facebook, Google, YouTube dhe Twitter. Kjo gjithsesi është shpresëdhënëse, por nuk është e mjaftueshme për ta ndalë dezinformimin (këtë e kanë dëshmuar tentativat e mëhershme). Facebook-u tha se do t’i fshijë postimet që përmbajnë dezinformim ndaj vaksinës, megjithatë, grupet anti-vaksinë tashmë i kanë shtrirë rrënjët në këtë medium. Niemen Lab i Universitetit të Harvardit nënvizon se si grupet anti-vaksinë kanë rritur rrjetin virtual me tetë milionë ndjekës të rinj në gjashtë muajt e parë të këtij viti. First Draft, në një studim të publikuar në muajin nëntor, ka gjetur se 84 për qind e interaktivitetit të dezinformatave për vaksinën e kanë burimin në Facebook dhe në Instagram.

Për çdo informacion ndaj të cilës ekspozohemi, para se ta besojmë duhet t’ia bëjmë vetes këto pyetje bazike. Pyetja e parë është se kush është autori dhe se a është ai i besueshëm? Pas çdo informacioni të publikuar qëndron një autor, ndaj është shumë e rëndësishme të kuptohet se a ka ai besueshmëri në shoqëri. Për shkak të rëndësisë së lajmit, informacionet e rëndësishme gjithmonë i gjeni në më shumë se një medium, prandaj është e rëndësishme të kërkohet i njëjti lajm edhe në mediat tjera. Kjo është pyetja e dytë. Me këtë pyetje, duke e lexuar informacionin e njëjtë te burime të ndryshme, kemi edhe një horizont më të gjerë të informacioneve që marrim, si dhe një kontekst më të kompletuar. E treta pyetje që duhet t’ia bëjmë vetes është për burimet mbështetëse tek të cilat ndërtohet informacioni. A janë burime zyrtare? Cilat janë ato burime? A ofron informacioni edhe fotografi, video apo ndonjë fakt tjetër nga konteksti i lajmit.

Nëse arrijmë t’u përgjigjemi këtyre tri pyetjeve kur e marrim një informacion, atëherë dilemat rreth vërtetësisë së informacionit nisin t’i marrin përgjigjet e duhura. Pra, me këto pyetje mund të mësohemi si t’u qasemi informacioneve në media, si dhe mund të kuptojmë se ajo që e lexojmë a është e vërtetë apo e rreme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *