Na bashkon Bibla dhe Kur‘ani, na bashkon shkronja “Gj” dhe shkronja “Sh”

Bibla ka vargje të shumta shprehjesh dhe urimesh për Krijesën, duke e lartësuar atë pa masë, ndërsa pikërisht në fillim bën të ditur që Zoti krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet (Libri i Zanafillës). Edhe në traditën islame flitet për njohjen e Hyjit përmes krijesës, krijimit. Në Surenë II lexojmë rreth krijimit dhe njohjes së Hyjit: “Kahdo që të kthehemi, atje është anë e Hyjit”. Mistikët islamë, sidomos ata të sufizmit, kanë vëzhguar dhe hetuar po ashtu pranishmërinë e fytyrës së Hyjit në gjurmët e krijesës. A. S. Kiriani thoshte: “Bukurinë Tënde e sodisim në krijesat, si në një pasqyrë të mahnitshme”. Edhe judaizmi, edhe islami, edhe krishterimi, e sodisin njeriun porsi krijesën ndaj të cilës duhet të kemi nderim, sepse vetë urdhri i pestë Mos vrit, në rrasëzën e Moisiut, i dhënë nga Zoti, bën të ditur se sa shumë Hyji e ka për zemër njeriun, ndërsa mençuria teologjike sufiste ka vërejtur në krijesën të quajtur NJERI Bukurinë e Krijuesit; e ka parë hijeshinë e Perëndisë në vëllaun e motrën njeri.

Kur’ani fillon me shkronjen B: bismil-lahi al Rrahmani al Rrahim. Bibla fillon po ashtu me shkronjen B: Bereshit. Që të dyja fjalët tregojnë fillimin. Që të dyja këto besime kanë zanafillën te Hyj Krijues. Por, çka na dallon? Të themi kalimthi dhe pa hyrë në spekulime teologjike as të krishtera, as islame, as judaike, sepse ato na çojnë në përplasje. Islami para së gjithash është pranim, akceptim i Kur’anit dhe jo ndjekje, shëmbëllim i Muhamedit. Krishterimi, përkundrazi, para së gjithash, është shëmbëllim i Krishtit, i Birit të Hyjit. Të krishterët thonë: Fjala u bë njeri në Jezu Krishtin dhe erdhi të banojë ndër ne dhe tanimë është i pranishëm në kremtimin liturgjik të Meshës. Fjala e mishëruar është për të krishterin fjalë e pandërmjetme e Hyjit, ndërsa Bibla fjalë e ndërmjetësueme. Përkundrazi, në Islam, Kur’ani, si libër, është fjala e pandërmjetësueme e Hyjit. Islamët e bazojnë besimin e vet në Kur’an, ndërsa të krishterët në personin e Krishtit për të cilin flet Bibla.

Pa ndjekur rreshtin alfabetik të shkronjave, nga B: bismil-lahi al Rrahmani al Rrahim dhe Bereshit, kthehemi në shkronjën A, me të cilën fillon fjala më e shenjtë islame: Allah, dhe emërtimi më i përditshëm për Hyjin në gjuhën hebraike: Adonai, që kanë kuptimin: Zot, Hyj, Perëndi. Këtu po shtojmë dhe fjalën tonë shqipe, Atë, Ati ynë, me të cilën përditë i krishteri shqiptar, e thërret Zotin. Në shkronjën A bashkohemi më së miri nën krahët e Krijuesit dhe njohim së bashku një Zot të vetëm, një Atë, një Krijues. Islamët, të krishterët dhe judenjtë veçanërishti i bashkon përsëri një emër tjetër që fillon me A. Nëse A-së ia shtojmë një H, do të fitojmë AH, një britmë që del me shpirt për të shprehur një ndjenjë habie pas ndonjë harrese ose për të shprehur një ndjenjë gëzimi pas vetëdijesimit tonë. Prandaj, përmes A-së na lidh Abrahami (Ibrahimi), Ati ynë i fesë. Kjo nuk guxon të tretet në harresë dhe nga kjo e vërtetë e përbashkët dhe e pranueshme nga të gjitha palët duhet të përshkohemi gjithmonë me ndjenjë gëzimi, duke ditur që dikur motit, tashmë kryehershëm, kishim dhe kemi një zanafillë.

Po çka i bashkon shqiptarët e krishterë dhe ata islamë? Ne takohemi qenësisht dhe jetësisht në shkronjën Gj: jemi të një gjaku! Përpiqemi në shkronjën Sh: jemi shqiptarë. Me rrënjën e kësaj fjale kemi emrin e pakufishëm gramatikisht: Shqiptaria, shprehje e shumëpërfolur dhe kurrë e kuptuar sa duhet. Shqiptari-a, ndërgjegjja kombëtare si popull shqiptar dhe dashuria për atdheun tonë. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” u përdor gjatë në kuptimin se duhet të bëhemi ateistë që mos të kemi përçarje fetare, se feja po dashka të zhduket dhe populli ynë më pastaj do të ketë rehati. Kjo shprehje rrënon mitin shqiptar të tolerancës dhe harmonisë fetare. Gjaku dhe kombi, shqiptaria si ndjenjë kombëtare na bashkojnë në rrënjët tona dhe nuk duhet të tretet Zoti në harresë.

Alfabeti ynë i begatshëm ka shkronjën T, me të cilën fillon fjala shumë e përfolur dhe e përsëritur tolerancë. Shkronja T na lidh tanimë veçanërisht dhe përmes saj dallohemi nga shumë kombe e grupe etnike që njohin beteja dhe luftime, qoftë dhe sporadike për shkak të besimit. Toleranca do të thotë durim i tjetrit, por durim fetar mund të ketë një besimtar i rryer dhe i regjur në fenë e vet në një Zot të vetëm nga i cili pret Amshimin dhe lutet për tjetrin që të arrijë po ashtu, ose një ateist për të cilin fetë, por edhe botëkuptimet e tjera nuk çojnë shumë peshë në të gjallët e tij. Toleranca fetare, më shumë se sa durim i thjeshtë, është dhimbje shpirti, kullim i brendshëm gjaku për besimtarin e bindur në fenë që i përket, sepse bindja se feja ime është e vërteta dhe që përtej saj nuk ka tjetër, të nxitë edhe në mënyrën më qëllimmirë dhe pozitive për t’u bërë misionar i fesë, për ta përhapur atë gjithandej botës, për t’i ndihmuar tjetrit vëlla, e tjetrës motër që të gjejë të vërtetën. Prandaj, këtu shpesh, qoftë me qëllimin më të mirë, qoftë me lajthitje fillojnë radikalizmat dhe përbuzjet e tjetrit, emërtimet se tjetri s’ka fe, se beson rrejshëm dhe kot, prandaj duhet ta shpëtoj, t`ia ofroj fenë time “të vërtetë“ qoftë edhe me dhunë, dhe nëse nuk e pranon, ta vras, e ta shpëtoj që mos të besojë më tutje rrejshëm. Por, toleranca jonë shqiptare nënkupton diçka ndryshe: islami shqiptar dhe krishterimi do të duhej më parë të mendonin: konvertimet e ndërsjella janë të lejueshme, ato mund të ndodhin, le të ndodhin për hir të vetë dinjitetit të personit në zgjedhje të besimit, për hir të paqes në kombin që i përkasim. Jo rrallë, Kisha katolike ndër shqiptarë u ka bërë ballë akuzave të qarqeve të ndryshme të cilat për t’i aneksuar trojet tona e kanë paraqitur Shqipërinë dhe shqiptarët si të rrezikshëm për shkak të fesë islame. Lufta e fundit rugoviane dhe e UÇK-së është dëshmia më e freskët dhe përkrahja jetike që Kisha jonë katolike i ka bërë besimit islamë ndër shqiptarë.

Tani, që mos të lëndonim besimtarët në përgjithësi, mund të shtronim pyetjen se çka na bashkon si besimtarë? Kush është besimtari. Kjo fjalë do të duhej të ishte sinonim për fjalët: i mirë, i drejtë, i mëshirshëm, i butë, i urtë, dorëdhënës, por edhe atdhetar, e të tjera. Sot fjala besimtar është shndërruar në fjalët: i rrezikshëm, i zorshëm, i pakuptimtë, rrënues, shkatërrues. Ateistët, filozofët dhe mendimtarët e tjerë shqiptarë i bashkon universalizmi botëror, humanizmi, pikëpamjet politike dhe shoqërore, disa sish dikur dhe ndoshta dhe tani pjesërisht, mund t’i ketë bashkuar internacionalja komuniste, ideologjia e proletariatit që doli ekstrem kundër njeriut dhe shkaktoi të keqen më të madhe në historinë njerëzore. Por, besimtarët islamë dhe të krishterë në çka bashkohen dhe ku gjejnë pikësynimin? Ata pikësëpari dhe gjithmonë duhet t’i bashkojë besimi. Synimi i besimtarit islam është xheneti, parajsa, po ashtu edhe për të krishterin. Besimtarët gjenden së bashku, qoftë edhe me dallime, në ushtrimin e lutjes: lutja kanonike e besimtarit islam është qëndrimi para Hyjit dhe shtrirja para tij. Të krishterët po ashtu gjunjëzohen, ngriten dhe përkulen në kremtimin e Meshës.

Besimtari islam dhe i krishterë takohen në besimin e tyre në qenësinë e të dyja besimeve: besimi në një Zot! Pastaj në engjëj, në nderimin ndaj Mejremes (Marisë) dhe në veçanti, në respektin ndaj Isait (Jezusit). Kur’ani e nderon dhe lartëson Jezusin, duke i dhënë tituj dhe duke i ngjitur emra të shumtë. Studiues të shumtë bëjnë të ditur që emri në orient nuk është tingull dhe tym, por koncentrati dhe identiteti i emërbartësit. Isai në Kur’an përmendet rreth 25 herë dhe ndër këto përmendjeje 16 herë si “I Biri i Marisë” (Isa ibn Maryam). Jezusi në Kuran është “Fjala e Hyjit” (kalima min Allah), “Shpirt nga Hyji” (rah min Allâh). Jezusi është njeri “i ndershëm”(salih) dhe “i bekuar”(mubarak), i zgjedhur nga Perëndia si “profet”(nabi) dhe “I dërguari”(rasul), i cili me vete sjell një shpallje. Ai është besimtar shembull dhe shembullor (mathal) dhe “shërbëtor i Perëndisë” (abd Ala?h). Në Medinë, Jezusi do të emërohet me emrin e vërtetë, me emrin e vet (personal): Jezusi Krisht (Jezu Krishti ose Jezus Krishti). Përfundimisht në suretë mediniane, në suretë që kanë prejardhjen nga Medina, Kur‘ani e quan Jezusin “Mesia”(al-masah). Jezusi në Kuran (në suretë: 3,45; 4,157.171; 5,17.72.75; 9.31) tetë herë quhet: “Mesia Jezus, Biri i Marisë” (al-masah Isa ibn Marya). Për Jezusin flet dhe një literaturë tjetër e bollshme letrare dhe mistike islame, nga del që Jezusi, veçanërisht këndshëm, përmendet si biri i Marisë. Këto përshkrime janë në të vërtetë të bukura, poetike dhe vargje mistike. Një ndër to, thotë: Tha Jezusi biri i Marisë: Lum ai që gjuhën e vet e vë në peshtaf, i mjafton shtëpia e vet dhe vajton mëkatet e veta (Ibn Al-Mubârak, † 797, në Kitab al-zubd, 40-1, n. 124).

Vetë Maria zë një vend të veçantë në Kur’an dhe është në përgjithësi i vetmi personazh femër që, duke u përmendur, gëzon nder në Ku’ran.

Pra, sa shumë na bashkon Bibla dhe Kur‘ani, prandaj Krishlindjen dhe Pashkët duhet t’i kremtojë bashkë! Na mbetet të respektojmë e të nderojmë edhe shpjegimet teologjike përkatëse, por mbi gjithçka kemi nevojë ta shtojmë besimin tonë në Zotin, të rrisim me dashurinë tonë dinjitetin dhe madhështinë që ka Njeriu si krijesë e Hyjit, t’i mësojmë të gjithë njerëzit, të gjithë e në tërësi shqiptarët ta besojnë emrin e Hyjit Perëndi dhe vetëm atij tij t`i përkulen në krenari për kombin dhe popullin që i përkasim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *