5 aksidente këtë mëngjes/ Kosovë, plagosen 15 persona – Shkak reshjet e dëborës

Reshjet e borës, të regjistruara ditët e fundit në Kosovë, kanë bërë që të rritet numri i aksidenteve rrugore, me pesë aksidente të regjistruara vetëm mëngjesin e të hënës në rrugën Prishtinë-Mitrovicë.

Sipas Flora Ahmetit, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës, rreth orës 7:30 minuta të mëngjesit të së hënës, në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, më saktësisht në fshatin Shkabaj, kanë ndodhur pesë aksidente, prej të cilëve, tre me persona të lënduar. Sipas saj, në aksidente janë përfshirë gjithsej 15 automjete dhe 15 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Zyrtarët e policisë në Kosovë raportojnë se 24 orët e shkuara janë regjistruar rreth 45 aksidente rrugore, prej të cilëve 18 me të lënduar, ndërsa 27 të tjerë me dëme materiale. Policia thotë se ka vendosur edhe një numër të madh gjobash për mosrespektim të rregullave në trafik. Me uljen e temperaturave, Policia e Kosovës u ka kërkuar qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë për shkak të mjegullës dhe ngricave.

Reshjet e borës të regjistruara orët e fundit në Kosovë, kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve edhe pse autoritetet njoftojnë se rrugët janë të kalueshme./topchannel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *