Mazhoranca në kundërshtim me KQZ-në sa i përket votave të emigrantëve

Ndërkohë që afron data e zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ende nuk ka një përgjigje përfundimtate nëse emigrantët do të mund të votojnë jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare.

Komisioneri Shtetëror Ilirian Celibashi, u shpreh se pa një adresë shqiptarët që jetojnë jashtë nuk mund të votojnë.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Celibashi dha një deklaratë të ndryshme nga ajo e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko, pak ditë më parë, proces të cilin e shihte të mundur edhe pa një status të emigrantit.

“Për të qenë votues në zgjedhjet e 25 prillit dhe më tej në zgjedhjet e radhës, pikësëpari duhet të jesh i identifikuar i qartë si emigrant, si një qytetar i Republikës së Shqipërisë me të drejtë vote por që e ke vendbanimin jashtë Republikës së Shqipërisë. Të jetë identifikuar qartë fakti që ju jeni banor psh i Romës në Itali dhe mbi këtë kusht duhet të shprehësh vullnetin dhe dëshirën për të votuar atje ku ke vendbanimin”.

KQZ brenda 3 ditëve do të miratojë edhe mënyrën se si do të krijohet lista e zgjedhësve, pasi të ketë edhe një përgjigje nga ana e Gjendjes Civile.

“Brenda këtij viti të kemi të qartësuar sesi do të jetë mënyra e krijimit të listës së këtyre zgjedhësve. Elementët e tjerë si do t’u dërgohet fleta e votimit, si ata do ta dërgojnë fletën e votimit këtu apo sesi do të votojnë, ne akoma nuk kemi qoftë dhe në mënyrë të përafërt një ide.”

Indentifikimi biometrik është një tjetër sfidë e KQZ-së për parlamentaret e ardhshme, pasi ende procesi është në një fazë prokurimi.

“Po presim përgjigjet e 6 kompanive që ne u kemi dërguar ftesën, shpresoj që me fillimin e vitit tjetër ta përfundojmë këtë proces.”

Ndërsa për pilotimin e votimin dhe numërimin elektronik për 20% të zgjedhësve, KQZ po pret propozimet e partive politike për zonat zgjedhore.

“Po presim prej partive politike të japin një opinion të tyre në lidhje me zonat pilot apo qendrat pilot ku do të implementohet ky projekt.”

Deri me 25 prill, kryeministri Edi Rama duhet të raportojë dhe të marrë leje nga Komisioneri Shtetëror për veprimtaritë e tij publike.

Në faqen e KQZ, ka edhe një dritare për të gjithë qytetarët, të cilat duan të denoncojnë një veprimtari të qeverisë që është i ndaluar./standard

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *