Lladrovci: Disa nga PDK-ja po mundohen të ndalojnë kandidaturën time në zgjedhjet e ardhshme

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, thotë se disa persona nga PDK-ja po mundohen të ndalojnë kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhshme.

Ai në një status në Facebook ka shkruar se po i bën me dije akterët e ish-akterët e PDK-së e të subjekteve tjera që për zgjedhjet lokale të bëhen gati për garë.
“Disave ua kam treguar vendin në tri palë zgjedhje, disave që ju ka mbetur merak gara, do t’ua tregoj vendin prapë së bashku me qytetarin e Drenasit si sovran i votës”, ka shkruar ai.

Për këtë mandat, Lladrovci thotë se gjatë tri viteve të fundit, Grupit të asamblistëve të PDK-së, ia ka shtuar nëntë asamblistë të partive tjera, porse sipas tij, kjo nuk i ka pëlqyer disave në degën e PDK-së.

“Për fat të keq, kjo nuk i ka pëlqyer as disave në degën e PDK-së që nuk marrin vota as nga anëtarët e familjes në Drenas, as disa deputetëve të Parlamentit të Kosovës, e as njerëzve që morën vota në Drenas. Për kuriozitet, për tre a katër vjet, nuk e kam hasur një rast të vetëm në Drenas që e ka sjellë kryesia e re apo kryesia e vjetër e PDK-së nga ndonjë parti tjetër në PDK”, ka shkruar ai.

Lladrovci tutje ka shtuar se pas publikimit të mesazhit inspirues për unitet rreth zgjedhjeve në Drenicë, në vend të përgëzimeve, tërthorazi filloi beteja e re kundër tij me humbës të përhershëm nga anëtari i kryesisë dhe personi, që sipas tij për tri vjet ndërroi disa subjekte politike, duke sharë PDK-në, kryetarin dhe ish-kryetarin e saj.

“Fitorja ime, do të jetë fitore e qytetarëve sikur deri tash, këtë e kam dëshmuar dhe do ta dëshmoj sërish”, ka shkruar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *