Serwer: Vuçiq do ta njihte Kosovën nëse Serbia do të anëtarësohej në BE

Analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se kurrë nuk ka lobuar për Kosovën, ose Shqipërinë. Ndërsa ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do ta njihte pavarësinë e Kosovës nëse Serbia anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Po të kisha lobuar, do të më duhej të regjistrohesha në Ministrinë e Drejtësisë. Është çështje e të dhënave publike që para disa vitesh kam këshilluar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës”, tha Serwer.

Serwer, që është profesor i Universitetit “Johns Hopkins” në Uashington, tha për portalin “KosovoOnline”, se do të ishte i lumtur ta bënte të njëjtën gjë për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, por që ata nuk e kërkojnë atë, transmeton Telegrafi.

Serwer mendon se njerëzit që e njohin atë si një lobist shqiptar nuk kanë, siç deklaroi ai, “përgjigjen e duhur për ato që ai thotë”.

Duke komentuar deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se, ndërsa ai është President, Serbia nuk do të njohë Kosovën Server tha se ai e merr seriozisht atë që ka thënë presidenti serb dhe mendon se, “ai ka vendosur që shpërblimi i vetëm, që do ta bindte atë të njohë Kosovën është anëtarësimi i Serbisë në BE, gjë që sigurisht nuk do të jetë e arritshme gjatë mandatit të tij aktual”.

Kur bëhet fjalë për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Serwer beson se nuk ka pasur arritje të mëdha këtë vit, por kjo nuk do të thotë se viti është humbur.

Sipas vlerësimit të tij, është bërë përparim kur bëhet fjalë për personat e zhdukur, çështjet financiare, madje edhe Asociacionin e Komunave Serbe.

Duke iu referuar deklaratës së tij të mëparshme se Madeleine Albright do të ketë një rol në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Server tha se ajo ishte një person i rëndësishëm në anën demokratike të ekuacionit politik në Uashington dhe se ajo, siç deklaroi ai, ka pikëpamje të forta për Ballkanin dhe njerëzit do ta dëgjojnë. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *