Zgjedhjet e reja, kjo është “strategjia” e VV-së

Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar politiken që është zhvilluar viteve të fundit.

Po ashtu, ai ka hedhur kritika karshi politikanëve, duke thënë se kanë vendosur vija të kuqe ndaj njëra-tjetrës sikur të ishin armiq shekullor.

“Për fat të keq, zhvillimet politike në Kosovë, nuk është që po shkojnë drejtë avancimit, përkundrazi, viteve të fundit, është një dukuri e shëmtuar në rritje, e cila është në kundërshtim të plotë me logjikën dhe rregullat e demokracisë dhe shtetndërtimit. Madje është edhe në kundërshtim me vlerat tradicionale kombëtare.

Viteve të fundit, është shfaqur një frymë e mosdurimit, e urrejtjes ndërnjerëzore dhe ndërpartiake, e akuzave të pabaza, përbaltjes se kundërshtarëve politik deri në shpalljen e vijave të kuqe, thua që kanë të bëjnë me armiq shekullor, e jo me vëlla, motër që politikisht mendon ndryshe. Kjo qasje e instaluar, për mendimin tim, është krimi dhe e liga më e madhe, që u ka ndodhur shqiptarëve pas luftës”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot”.

Më tej, ai shprehet se partitë politike tani janë në vija të frontit dhe se lufta e politikanëve po bëhet me fyerje dhe denigrim të njërës ndaj palës tjetër.

“Tani jemi para zgjedhjeve të cilat po ndodhin vetëm pas një viti kur nga zgjedhjet u supozua dhe propagandua që po krijohej ” Qeveria e shpresës”. Pra sipas rezultatit që sot kemi, ka ndodhur vetëm mashtrimi i madh ndaj akterëve politik dhe ndaj qytetarëve. Sepse nuk është e natyrshme dhe e mundur të ndodhë një thyerje kaq e madhe për gjëra banale, aty ku me herët ka pas sinqeritet e shpresë. Tani jemi para aktit të zgjedhjeve, partitë janë në vija të frontit. Lufta nuk bëhet me ide e program, por me fyerje dhe denigrim të njërës ndaj palës tjetër. Qytetarët, të hutuar dhe indoktrinuar ndër vite, janë traumatizuar dhe nuk logjikojnë më, bazuar në syrin dhe mendimin kritik, por veprojnë sikur të ishin tufa delesh”, ka thekuar Duhanaj.

Sipas tij, tri parti të mëdha që do të garojnë për vendin e parë.

“Skena politike, kësaj radhe do të përzihet goxha, pasi që pritet të kemi ngushtim të hapësirës, përkatësisht mbështetjes politike për disa subjekte të vogla.

Kjo nuk ndodhë për shkaqe programore, por pikërisht për shkak të rezultateve indoktrinuese ndër vite.

Pra për mendimin tim, do të kemi tri parti të mëdha që do të garojnë për vendin e parë. Bazuar në klimën ekzistuese, rezultati do të varët shumë nga shkalla e agresivitetit. Qytetarët nuk do të jenë në gjë dje të krijojnë një opinion të drejtë programor ku si pasojë do të vendosin bazuar në ndikimin e rrymave, qoftë mediatike apo edhe aktivistëve e rrjeteve sociale.

Partitë që mobilizojnë më shumë dhe janë me agresive do të shpërblehen, përderisa partitë që mundohen me qetësi me sjellë ide e program, nuk do të dëgjohen.

Mendoj që mundësitë për koalicione do të jenë të hapura, sidomos pas zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Në fund, Duhanaj mendon se koalicionet janë të hapura dhe të mundshme në konstalacione të ndryshme.

“Madje edhe VV, duke e ditur që e vetme nuk ja del të fitoj as të qeveris, ka dhënë sinjale që do ta preferonte PDK-në si partnere në qeverisje.

Kjo mënyrë e qasjes i ngjason asaj të vitit të kaluar kur koncentrimin e kishin tek LDK. Pra LVV, e ka pjesë të strategjisë së saj të dobësimit të “partnerëve” politik. Ketë do ta provoj edhe në të ardhmen, por që nuk besoj që PDK do të lejojë një gjë të tillë.

Për ndryshe mendoj që koalicionet janë të hapura dhe të mundshme në konstalacione të ndryshme dhe nëse VV do të mësojë nga gabimet në të kaluarën, mund të ketë pjesë e kombinimeve, nëse jo, do të mbetet prapë opozitë destruktive”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot” .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *