15 ditë pas, Gjykata Kushtetuese ende pa vendim final – nuk dihet data e zgjedhjeve parlamentare

Kanë kaluar 15 ditë që kur Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykimin pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpallje të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka nxjerrë të plotë këtë aktgjykim dhe ende nuk ua ka dorëzuar palëve, duke ia pamundësuar kështu u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ndërsa, Kushtetuesja javën e kaluar kishte pohuar se janë në finalizim të këtij aktgjykimi, duke mos dhënë detaje tjera.

Në pritje të aktgjykimit të plotë janë shprehur edhe subjektet politike, të cilat janë shprehur të gatshme për të zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, dy nga subjektet politike edhe kanë bërë zyrtarizimin e kandidatëve për kryeministër.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kandidat për kryeministër ka kryetarin në detyrë, Enver Hoxhaj.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kandidat për kryeministër ka Avdullah Hotin, i cili aktualisht është kryeministër në detyrë i Kosovës.

Ndonëse ende nuk i kanë bërë zyrtare, LVV edhe në këto zgjedhje pritet të ketë Albin Kurtin kandidat për kryeministër, kurse nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të jetë Ramush Haradinaj.

Sa i përket koalicioneve parazgjedhore, disa nga subjektet politike kanë thënë se preferojnë të garojnë të vetme në zgjedhje, ndërsa disa tashmë kanë filluar negociatat për koalicione parazgjedhore.

Të gatshëm për organizimin e zgjedhjeve janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët po ashtu kanë paralajmëruar se varësisht kur caktohen zgjedhjet edhe fushata zgjedhore do të zgjasë më pak ditë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme shpallen nga presidenti, jo më vonë se dhjetë ditë nga shpërndarja e Kuvendit dhe jo më vonë se 40 ditë.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat”, thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve bëhet publik në ‘Gazetën Zyrtare të Kosovës’. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *