Papunësia në Kosovë arrin në 24.6 për qind, thellohet numri i femrave të larguara nga puna

Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë 2020 në Kosovë ishte 24.6 për qind, ku më e theksuar ishte te femrat me 33.1 për qind, krahasuar me meshkujt që ishte 21.5 për qind.

Kështu thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se shkalla e punësimit ishte 30.1, punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 46.2 për qind, kurse te femrat 14.4 për qind.

Sipas raportit, përcjell Telegrafi, femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 49.7 për qind, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 46.5 për qind.

Sektorët e ekonomisë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 17.2 për qind, ndërtimtaria me 13.3 për qind, prodhimi me 11.3 për qind, si dhe arsimi me 9.1 për qind.

Indikatorët kryesorë të tregut të punës | Burimi: ASK

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.1 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore.

Fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 60 për qind me fokus të veçantë te femrat me 78.5 për qind krahasuar me meshkujt me 41.1 për qind.

Në anketën e fundit të “Pulsit Publik” të Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), papunësia llogaritet si njëri problemet me të cilat ballafaqohet Kosova.

“Një përqindje e madhe e të anketuarve vazhdojnë të identifikojnë papunësinë, korrupsionin dhe varfërinë si tre problemet themelore me të cilat përballet aktualisht Kosova. Problemi më i madh për 37.2 për qind të të anketuarve është papunësia, e ndjekur nga korrupsioni me 23.5 për qind dhe varfëria me 15.3 për qind”, thuhet në raport, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, Instituti për Studime të Avancuara GAP thotë se pandemia COVID-19 ka lënë mbi 37 mijë qytetarë të Kosovës të papunë.

GAP thotë se vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinj, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020.

Një pjesë e madhe e tyre apo 16,820 janë gra. Marrë parasysh pjesëmarrjen shumë të ulët të aktivitetit ekonomik të grave dhe barrierat tjera në punësim, shkalla e papunësisë në mesin e grave mund të rritet edhe më shumë.
nga Taboola

“Të dhënat nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se industritë të cilat punësojnë më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë, e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese, shënuan rënie të madhe të punëtorëve gjatë periudhës janar-mars 2020. Përderisa në mars të vitit 2019 në industrinë e tregtisë me shumicë e pakicë punonin rreth 80 mijë persona, në mars 2020 ky numër ra në rreth 43 mijë. Edhe numri i kontributpaguesve në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) ka shënuar ulje prej rreth 20 përqind në shumicën e komunave të Kosovës”, thuhet në raportin e GAP, përcjell Telegrafi. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *