Vaksinat kundër COVID-19 edhe para shkurtit?

Pfizer: Diskutimet me qeveritë janë konfidencialeQytetarët e gatshëm ta marrin vaksinën kundër COVID-19
Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se në mesin e muajit shkurt pritet arritja e një sasie të konsiderueshme e vaksinave kundër COVID-19. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të martën, kjo ministri nuk e përjashtoi mundësinë që vaksinat e tilla të arrijnë edhe më herët në Kosovë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj bëri të ditur se Kosova ka siguruar 500.000 vaksina kundër COVID-19 nga kompania amerikane Pfizer. Në një postim në Facebook, Zemaj tha se konfirmimin për sigurimin e tyre e kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizerit, gjatë një takimi virtual të mbajtur të martën.

Zemaj nuk tregoi se kur pritet të arrijnë në Kosovë këto vaksina.

Pfizer: Diskutimet me qeveritë janë konfidenciale

Nga kompania Pfizer thanë se ata dhe kompania BioNTech janë të përkushtuar që të sjellin këtë vaksinë për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të shëndetit publik në nivelin global.

“Ne do të punojmë ngushtë me qeveritë, përfshirë atë të Kosovës që të ofrojmë qasje në vaksinë. Aktualisht, nuk kemi diçka të re për të thënë në këtë drejtim. Diskutimet me qeveritë vazhdojnë të jenë konfidenciale”, deklaroi të hënën për REL, Dervila Keane nga Pfizer.

Pas njoftimit se Kosova i ka siguruar vaksinat nga kjo kompani, Keane nuk e konfirmoi një gjë të tillë dhe nuk dha detaje se kur do të dërgohen dozat e para.

“Nuk kam informacione të reja sa i përket Kosovës tash për tash”, tha ajo të martën.

Krahas vaksinës e Pfizerit, Kosova synon të sigurojë vaksinën edhe përmes programit COVAX.

Nga Ministria e Shëndetësisë deklaruan se nga ky program do të merren 360.000 vaksina falas, ndërsa sasitë e tjera, që mund të shkojnë prej 800.000 deri në 1.200.000 do të blihen sipas nevojës dhe sipas asaj se sa popullata do të jetë e gatshme të vaksinohet.

COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra. Sipas një hulumtimi të Reuters, ky program deri më tani ka krijuar marrëveshje furnizimi jodetyruese me kompanitë, AstraZeneca, Novavax dhe Sanofi.

Sipas Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Kosovës, thuhet se Qeveria e Kosovës obligohet që të sigurojë për të gjithë qytetarët vaksina të mjaftueshme kundër koronavirusit të ri.

Shpenzimet për vaksinën kundër COVID-19 dhe për vaksinimin e detyrueshëm, sipas këtij ligji, i mbulon Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj, nga donatorët apo përmes kredive që i merr shteti.

Në buxhetin e Kosovës për këtë vit janë ndarë 40 milionë euro për blerjen e vaksinave dhe për nevoja që lidhen me pandeminë COVID-19.

Nisur nga kjo, në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se çdo vaksinë që do t’u jepet qytetareve të Kosovës, do të jetë falas.

Po ashtu, Komisioni Evropian tanimë ka ndarë 70 milionë euro nga instrumentet e para-anëtarësimit për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të sigurojnë vaksinat kundër koronavirusit të ri nga sasia e dozave që janë porositur nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Qytetarët e gatshëm ta marrin vaksinën kundër COVID-19

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehin mendime të ndryshme sa i përket vonesave eventuale që mund të jenë krijuar në arritjen e kësaj vaksinë edhe në Kosovë. Ata thonë se në momentin që do të arrin kjo vaksinë në Kosovë, do ta kishin marrë, nëse ju ofrohet mundësia.

Bahri Syla, qytetar nga Prishtina thotë se Kosova është duke ecur mirë në aspektin e furnizimit me vaksinën COVID-19.

“Ne në Kosovë, në krahasim me shtete tjera jemi më të varfrit në Evropë dhe nuk mund të jemi të parët që mund t’i marrim se duhen para, por në bazë të gjendjes ekonomike që kemi nuk jemi vonuar, ka kohë. Po, nëse nuk ishte zbuluar çfarë kishim bërë. Ka kohë, edhe te ne nuk vonohet, vjen”, thotë ai, duke shtuar se do ta merrte vaksinën në momentin që do të arrinte në Kosovë.

Gani Musliu, rreth 70 vjeç, thotë se nëse Kosova nuk do të bëhej pjesë e programit COVAX për marrjen e vaksinës, do t’i duhej një vit apo më shumë që ta siguronte atë, pasi sipas tij, shteti qëndron keq ekonomikisht.

“Ne jemi vonuar sipas mundësive. Po nuk pate mundësi të paguash, duhet të presësh. Kosova është vend i varfër, ne nga ndihmat dhe donacionet e huaja jetojmë”, thotë ai.

Por, për qytetarin Ilmi Rrahmani, Kosova është vonuar në marrjen e vaksinës.

“Jemi vonuar shumë, derisa te tjerët, në këtë rast Serbia i ka sjell vaksinat në Kosovë dhe po vaksinon komunitetit e vet, ne jemi vonuar”, thotë ai.

Vendet e rajonit para Kosovës

Shteti i parë ne rajon që ka siguruar vaksinën kundër koronavirusit është Serbia. Deri më tani, në këtë shtet kanë arritur rreth 25.000 doza të vaksinës së Pfizerit dhe vaksinimi është duke u zhvilluar.

Shqipëria ka siguruar 500.000 doza të vaksinës kundër COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se dozat e para, gjithsej 10.750, do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit, ndërsa dozat e tjera gjatë muajit shkurt.

Rreth 6.000 doza të para të vaksinës kundër koronavirusit në Maqedoninë e Veriut pritet të arrijnë në shkurt nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer. Ndryshe, autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur se tashmë ky shtet ka siguruar 833.000 dozave të vaksinës kundër COVID-19, nga prodhuesi Pfizer me të cilat pritet të vaksinohen 400 mijë qytetarë./Rel/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *