Vjosa Osmani tregon kushtin e saj për t’u rikthyer në LDK

Vjose Osmani ka nisur një lëvizje të re politike dhe të gjitha gjasat janë që ajo të përfshihet në listën e Vetëvendosjes si kandidate për deputete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë.

Shumë prej mbështetësve të saj po largohen nga LDK-ja dhe po i bashkangjitet VV-së, duke përbërë kështu një krisje reale të kësaj partie në prag të zgjedhjeve.

Vjosa Osmani e ftuar në emisionin Jeta Xharrës në Kallxo dhe RTV Dukagjini ka komentuar iniciativën e saj të re dhe njerëzit që pritet t’i bashkohen.

“Njerëzve të LDK-së që besojnë që vlera dhe potenciali i tyre nuk lejojnë që votat dhe besimi i tyre me u keqpërdor e kanë derën të hapur”, tha Osmani. “Secili në LDK duhet ta ketë parasysh që a duam të jenë pjesë e një koncepti politik që e keqpërdor deri në masën më ekstreme besimin e votuesve”, theksoi Osmani.

Gjithashtu presidentja në detyrë, ka folur edhe për ftesën e Lutfi Hazirit për t’u kthyer në LDK, duke paraqitur edhe kushtin e saj.

“Nuk ka qenë thirrje e drejtpërdrejtë e Lutfi Hazirit me u kthy në LDK. Ma ka ‘sjell’ ngapak, por jo aq drejtpërdrejtë, por unë kam raporte të mira me të. Nuk e kam ftuar në iniciativën time Lutfi Hazirin sepse ai ka qenë i qartë qysh nga fillimi”, tha ajo.

“Le të largohet kryesia e re e LDK-së, e le të vijmë të flasim për mundësinë e kthimit në LDK”, shtoi Osmani e pyetur nga gazetarja Jeta Xharra nëse do të kthehej në LDK nëse largohet kryesia e kësaj partie.

Gjithashtu ajo ka folur edhe për kontaktet që ajo ka zhvilluar lidhur me bashkëpunimin politik në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke bwrw tw ditur se është takuar me udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë deri më tani kam diskutuar vetëm me zotëri Kurti. Jemi takuar kohë pas kohe. Deri tani kemi diskutuar vetëm për vullnetin për bashkëpunim, të diskutojmë për tema, prioritetet”, ka thënë Osmani.

Pak ditë më parë, Osmani ka takuar udhëheqësit e partive politike dhe ka bërë të ditur se sapo palët ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur si jokushtetues votimin e Qeverisë Hoti.

Shkak për këtë ishte bërë vota e Etem Arifit, i cili përkundër që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë kishte marrë pjesë në votimin e Qeverisë./albeu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *