Rama i bindet Erdoganit t’i zbatojë interesat e ngushta të tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama shkoi dje në Turqi për t’i dhënë një “dimension tjetër” bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, siç tha në konferencën e përbashkët për media, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Erdogani ka arritur që me këtë vizitë të delegacionit shqiptar t’i shtrojë interesat e tij të ngushta dhe ta marrë aprovimin e Ramës për t’i zbatuar ato me përpikëri. Presidenti turk i dha rëndësi të veçantë interesit të tij të vazhdueshëm për ta zëvendësuar rrjetin e shkollave të kundërshtarit të tij politik, Fetullah Gylen në Shqipëri me një rrjet tjetër të shkollave që do të financohen nga qeveria turke, e udhëhequr nga ai.

“Anëtarët e Fetos përbëjnë një kërcënim dhe ne nuk do të lejojmë që Feto t’i helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, u shpreh Erdogan.

Ky qëndrim i Erdoganit duket se është marrë shumë seriozisht nga Rama, i cili deklaroi se në Shqipëri do të ndërtohet një nga universitetet më të njohura të Turqisë.

Përmes këtyre koncensioneve, Edi Rama po i përfill me zell dëshirat e presidentit turk, në shumë raste edhe duke shkelur apo anashkaluar ligjet e vendit që udhëheq. Shembuj konkretë janë mbyllja e shkollave të “Turgut Ozal” dhe dorëzimi i gylenistëve të kapur në Tiranë.

Teksa arriti t’u japë rëndësinë e duhur interesave të tij, Erdogan ia përmendi Ramës ndihmën që ia kishte dhënë Turqia Shqipërisë pas tërmetit shkatërrues.

“Shqipëria përjetoi dy tërmete të fuqishme dhe ne ofruam të gjitha mundësitë tona për vëllezërit tanë. Shpresojmë që banesat në Laç të përfundojnë deri në gusht 2021. Unë i kërkoj mëshirë Zotit për shqiptarët që humbën jetën nga tërmeti. Turqia është partneri tregtar i katërt i Shqipërisë. Ne jemi investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Sot në mendojmë që partneritetit t’i japim një dimension tjetër”, u shpreh presidenti i Turqisë./rtklive

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *